Ministria e Mbrojtjes njofton se brenda 24 orëve të fundit janë raportuar 20 vatra zjarri, prej të cilave 9 mbeten aktive dhe 1 është në monitorim. Në operacionet e menaxhimit të situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura me 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat kryesore të identifikuara janë:
– Gojan–Gjegjan, Pukë: Situata mbetet problematike për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer. Forcat janë përqendruar në mbrojtjen e banesave dhe është kryer evakuimi i banorëve. Operacionet janë mbështetur nga 40 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcave të Armatosura.
– Mal Milot, Kurbin: Vatra vijon aktive, por rreziku për banesat është eliminuar për momentin. Në terren veprojnë forcat zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim me forca dhe mjete të Forcave të Armatosura.
– Dajt, Tiranë: Ka riaktivizim të vatrës, por nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar MZSH, AZM dhe Forcat e Armatosura, me mbështetje nga 1 helikopter.
– Dukat, Vlorë (zona e Shatës): Zjarri është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Në terren po operojnë forcat vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe dy avionë Air Tractor; aktualisht nuk rrezikohen banesa.
– Ballaxhiaj, Memaliaj: Zjarri është nën kontroll dhe larg banesave pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, policisë dhe vullnetarëve; disa banorë janë evakuuar.
Raportohet gjithashtu për vatra aktive në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht. Vatra në Lufaj, Mirditë, është nën kontroll dhe po mbahet në monitorim.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vazhdon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

