Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit në vend janë raportuar 39 vatra zjarri; 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht. Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse civile, si dhe 340 forca ushtarake me 4 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Në ndërhyrje janë përdorur edhe helikopterët e Forcës Ajrore me 6 operacione dhe 1 avion Air Tractor. Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe 1 Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive ndodhen në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë. Në zonën e Dajtit puna vijon pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat. Në Dibër vazhdojnë të jenë aktive vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, pa rrezik për zonat e banuara. Në Lezhë mbeten aktive Gallata dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet, ku gjithashtu rreziku për banesat është shmangur.
Sipas Ministrisë, situata më e rëndësishme gjatë 24 orëve është regjistruar në Fier dhe Himarë. Në zonën Drizë–Vadhizë–Peshtan–Levan, pas angazhimit të forcave tokësore dhe ajrore, rreziku për banesat është shmangur dhe operacioni vijon. Në lagjen “1 Maji”, Himarë, u angazhuan rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura; u evakuuan 36 persona dhe u dogjën 6 banesa, prej të cilave 3 ishin të banuara. Zjarri ka ulur intensitetin, rreziku për banesat është shmangur dhe puna për shuarjen vijon.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

