Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, shumica e të cilave janë shuar; aktualisht 5 vatra mbeten aktive dhe 1 zonë është në monitorim, njofton Ministria e Mbrojtjes. Në terren janë angazhuar 37 automjete zjarrfikëse dhe 365 forca operacionale, të mbështetura nga 158 efektivë të Forcave të Armatosura me 10 mjete dhe 4 helikopterë të Forcës Ajrore. Strukturat e mbrojtjes civile vazhdojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në zonat ku vatrat mbeten aktive.
Në Mallakastër, zjarret në Riban, Ngraçan, Panahor dhe Çyçen janë shuar plotësisht pas disa ditësh operacionesh intensive. Në Drenie, Bashkia Patos, është evidentuar një riaktivizim në thellësi të pyllit dhe strukturat operacionale po vijojnë punën për fikjen e tij.
Në Krujë, forcat vazhdojnë angazhimin në lagjen Abaze dhe në zonën Krastë–Halil. Në Abaze, përhapja u favorizua nga era, por aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Krastë–Halil, në orët e para të mëngjesit u përdorën dy helikopterë të Forcës Ajrore për të frenuar përhapjen dhe për të mbështetur forcat në terren; pas ndërhyrjes ajrore situata u normalizua dhe puna vijon për kontrollin dhe shuarjen e plotë të vatrës. Në dy vatrat e Krujës janë angazhuar në total katër helikopterë të Forcës Ajrore.
Në Priskë e Madhe, Bashkia Tiranë, vijon puna për vënien nën kontroll të vatrës dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Zjarri në Cikallesh, Bashkia Kavajë, është shuar plotësisht, ndërsa zona e Dajtit mbahet në monitorim. Në Vilëz, Bashkia Kurbin, dhe në Kallmet të Vogël, Bashkia Lezhë, zjarret janë shuar plotësisht. E njëjta situatë paraqitet në Goraj–Budishë, Bashkia Malësi e Madhe, ku vatra raportohet e shuar.
Në malin e Nëmerçkës, Bashkia Përmet, vatra nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. AKMC dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile mbeten në gatishmëri dhe vijojnë koordinimin deri në neutralizimin e plotë të çdo vatre aktive, njofton Ministria e Mbrojtjes.

