Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, deri më 30 gusht 2026, ora 20:00, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje. Në operacione janë angazhuar 284 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë dhënë mbështetje me 80 efektivë dhe 2 helikopterë.
Vatrat aktive kryesore janë të përqendruara në qarqet Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës. Në zonën e Dajtit drejt Qafë-Priskës po punojnë 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë ushtarakë, të mbështetur nga një helikopter. Në qarkun Dibër situata kërkon angazhimin më të madh: në Vajkal janë të pranishëm 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Sllatinë janë angazhuar 91 forca. Vatra aktive mbeten edhe në Lundre të Matit, ku ndërhyri një helikopter i FA-së, dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.
Në Qafën e Lugut, Vithkuq, zjarri në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë së ndërhyrjes në orët e vona. Në Zallë, Fushë‑Krujë, një vatrë e riaktivizuar është vënë nën kontroll pas angazhimit të MZSH-së, forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së; nuk raportohen zona të banuara në rrezik. Vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit janë aktualisht nën mbikëqyrje, ndërsa gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vazhdon ndjekjen e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

