Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri, prej të cilave 4 mbeten aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje. Për përballimin e situatës janë angazhuar në total 432 forca operacionale dhe 43 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 70 forca ushtarake dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore. Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 90 forcave ushtarake në bashkitë Bulqizë, Mat dhe Tiranë.
Vatrat aktive janë të përqendruara si më poshtë: në Dajt, Tiranë vazhdojnë vatrat aktive në drejtim të Qafë-Priskës; ditën e djeshme aty u angazhuan 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter, dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Vajkal, Bulqizë zjarri është aktiv në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja, në terren shkëmbor; janë angazhuar 11 forca MZSH, 5 forca pyjore, 7 vullnetarë dhe 30 ushtarakë. Në Lundre, Mat zjarri vazhdon në një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore; aty janë angazhuar 40 forca MZSH/pyjore, 20 ushtarakë dhe 1 helikopter. Në Ura e Shtrenjtë, Shkodër ka vatër aktive në terren të thepisur dhe po punohet për izolimin dhe parandalimin e përhapjes.
Nën mbikëqyrje vijojnë vatrat në Qafën e Helmës (Bulqizë), Qafën e Lugut (Korçë), malin e Qukësit (Prrenjas) dhe Zhejë (Kurbin). Në të gjitha rastet e mësipërme nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

