Disa vatra zjarri u aktivizuan gjatë natës në Qarkun e Shkodrës, në zonat e Vaut të Dejës, Shkodrës dhe Malësisë së Madhe. Falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, zjarret në Shkodër, Malësi të Madhe dhe Vau Dejës u vunë nën kontroll brenda disa orësh, megjithëse në Vau Dejës operacioni vazhdon ende për shuarjen e plotë të një vatre aktive.
Në Vau Dejës, rreth 30 efektivë zjarrfikës punuan gjatë gjithë natës pa ndërprerje. Në ndihmë të MZSH Vau Dejës morën pjesë edhe ekipet e MZSH Shkodër, Pukë dhe Fushë-Arrëz, si dhe efektivë dhe një mjet zjarrfikës të Forcave të Armatosura. Ndërhyrja e përbashkët bëri të mundur izolimin e zjarrit në kohë, shmangien e rrezikut për banesat dhe mbrojtjen e trasesë së linjës së transmetimit. Aktualisht mbetet një vatër aktive në Vau Dejës dhe forcat vazhdojnë punën për shuarjen e saj.
Prefektura e Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me AKMC-në, ka vijuar koordinimin e forcave operacionale vendore dhe qendrore për menaxhimin e incidentit dhe për orjentimin e ndërhyrjeve në terren. Operacionet përfshijnë zbatimin e burimeve të disponueshme në zonë dhe koordinimin e përpjekjeve ndërmjet njësive zjarrfikëse, strukturave të emergjencës dhe institucioneve të tjera të përfshira në menaxhimin e situatave me zjarr.
Prefektja e Shkodrës, Holta Duda, ka falënderuar efektivët zjarrfikës, Forcat e Armatosura, strukturat e Emergjencave Civile, shërbimin pyjor, Policinë dhe banorët vullnetarë për angazhimin e tyre në operacion. Falë angazhimit të këtyre strukturave dhe koordinimit ndërinstitucional, u arritën masa për izolimin dhe kontrollin e vatrave, ndërsa puna për shuarjen e plotë të zjarrit në Vau Dejës vazhdon.

