Rreth 100 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në operacionet për shuarjen e dy vatrave të zjarrit të evidentuara mbrëmjen e djeshme, në Pojan – Parku Arkeologjik i Apolonisë, Fier, dhe në Gjirin e Lalëzit, Durrës. Në Gjirin e Lalëzit, pranë zonës së Shën Pjetrit, pas angazhimit gjatë gjithë natës të efektivëve në terren, për shkak të vështirësive të ndërhyrjes në terrenin kodrinor është përdorur edhe një helikopter që po punon nga ajri. Në këtë zonë janë angazhuar 68 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 15 automjete zjarrfikëse nga bashkitë Durrës, Shijak, Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Elbasan.
Ekipet po punojnë intensivisht për izolimin e vatrave dhe për mbrojtjen e banorëve, banesave dhe pronave të zonës. Për situatën në Pojan, pranë Parkut Arkeologjik të Apolonisë, efektivët e Forcave të Armatosura vijojnë punën në terren për monitorimin e situatës, e cila tani raportohet nën kontroll. Dje, në operacionin e shuarjes në atë zonë, u angazhua edhe helikopteri i Forcës Ajrore.
Nga flakët nuk është raportuar dëmtim i monumenteve në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Operacionet përfshijnë ndërhyrje në terren dhe nga ajri, me fokus te izolimi i vatrave dhe mbrojtja e komuniteteve dhe pronave përreth zonave të përfshira nga zjarri. Forcat e Armatosura dhe njësitë e zjarrfikësve bashkiakë po vazhdojnë punën në terrene me kushte të vështira, veçanërisht në zonën e Lalëzit ku terreni kodrinor ka parandaluar ndërhyrjet e drejtpërdrejta në tokë dhe ka bërë të nevojshme përdorimin e mjeteve ajrore për të kontrolluar dhe shuar flakët.

