Katër vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa forcat dhe mjetet e emergjencës janë përqendruar në zonat më problematike. Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë ditës janë raportuar 12 vatra zjarri gjithsej: 4 aktive, 4 nën mbikëqyrje dhe 4 të shuar plotësisht. Për përballimin e situatës janë angazhuar, krahas strukturave vendore, 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive kryesore mbeten Dajt–Qafë Priska, Vajkali në Bulqizë, Lundra në Mat dhe Ura e Shtrenjtë në Shkodër. Në Dajt–Qafë Priskë vazhdon puna për shuarjen dhe është konstatuar një riaktivizim; aty janë angazhuar 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 helikopter. Në Vajkal, Bulqizë, zjarri po shtrin mbi sipërfaqe të mëdha me shkurre e dëllinja, ku ndërhyrja po bëhet nga 53 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura. Në Lundre, Mat, zjarri vazhdon në sipërfaqe pyjore me mbështetje nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 helikopter. Në Ura e Shtrenjtë, Shkodër, ndërhyrja vështirësohet nga terreni i thepisur dhe mungesa e rrugëve.
Nën mbikëqyrje qëndrojnë vatrat në Qafë të Helmës–Bulqizë, Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Zhejë–Kurbin. Në Zhejë ndërhyrja u mbështet nga 3 mjete zjarrfikëse dhe 1 helikopter; aktualisht aty nuk raportohet vatër aktive. Janë shuar plotësisht zjarret në Sllatinë–Dibër, Ballenjë–Martanesh, Bershi–Kurdari–Patinë në Klos dhe malin e Dardhës–Librazhd.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.

