Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë u plagosën si pasojë e një zjarri të fuqishëm që përfshiu një ndërtesë gjashtëkatëshe në Manhattan, New York, në orët e para të mëngjesit të së hënës. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:30 me kohën lokale në një apartament në katin e tretë të ndërtesës në adresën 660 Riverside Drive, mes rrugëve West 143rd dhe 144th.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të New York-ut (FDNY), apartamenti ishte i mbushur me sende dhe objekte të ndryshme, çka e vështirësoi ndjeshëm ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Për shkak të përhapjes së flakëve, në orën 01:47 u dha alarmi i dytë, duke lejuar angazhimin e forcave shtesë.
Gjatë operacionit të kërkim-shpëtimit ekipet gjetën një burrë pa shenja jete, dhe vdekja e tij u konfirmua në vendngjarje. Një person tjetër u dërgua në spital në gjendje të rëndë, ndërsa një i tretë pësoi lëndime të lehta por refuzoi ndihmën mjekësore. Edhe dy zjarrfikës pësuan lëndime të lehta dhe u trajtuan në spital.
Për shuarjen e flakëve dhe vënien nën kontroll të situatës u angazhuan 46 mjete dhe njësi zjarrfikëse, me gjithsej 141 zjarrfikës dhe punonjës të shërbimeve emergjente. Forcat në terren punuan për disa kohë për të neutralizuar zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në apartamentet e tjera të ndërtesës.
Deri më tani autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës dhe personave të plagosur. Rrethanat dhe shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit mbeten të paqarta dhe po hetohen nga shërbimet kompetente në New York.
