Një zjarr ka përfshirë një apartament në një nga pallatet e një kompleksi turistik në plazhin e Golemit. Burime nga shërbimi zjarrfikës për gazetaren Vali Qyrfyçi bëjnë me dije se në fillim nuk ishte raportuar për të lënduar. Rreth orës 20:30, në katin e 9-të të një ndërtese në zonën e Shkëmbit të Kavajës, është djegur një apartament në pronësi të shtetasit E. Sh.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe të MZSH-së. Dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt elektrik, ndërsa tymi dhe flakët janë dalluar edhe nga distanca. Sipas të dhënave paraprake, 6 shtetas janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, pasi kanë shfaqur vështirësi në frymëmarrje si pasojë e tymit; ata janë jashtë rrezikut për jetën.
Zjarri është shuar dhe situata është vënë nën kontroll, por turistët dhe banorët ende nuk lejohen të kthehen në apartamentet ose dhomat e tyre. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.

