Një zjarr i madh përfshiu pasditen e së enjtes Halkidikinë, rreth 100 km nga Selaniku, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorë dhe mijëra pushues nga qytezat Siviri dhe Fourka. Flakët, që u shfaqën pas orës 14:00 dhe u përhapën nga erërat e forta, kaluan rrugën kryesore dhe zbritën deri pranë detit, duke hyrë në zonat me banesa pushimi dhe duke krijuar një front prej më shumë se 4 km. Deri tani është konfirmuar të paktën një shtëpi e shkrumbuar, ndërsa nuk ka një bilanc zyrtar për numrin e përgjithshëm të banesave të dëmtuara.
Situata u bë aq e rrezikshme sa autoritetet nisën evakuimin edhe nga deti, duke dërguar mesazhe paralajmëruese përmes numrit të emergjencës 112. Anije të Rojës Bregdetare, mjete të zjarrfikësve dhe varka private morën banorë dhe turistë nga plazhi i Sivirit, ndërsa autobusë u përdorën për evakuimin e personave nga Siviri dhe Fourka.
Në operacionin kundër zjarrit janë angazhuar 148 zjarrfikës me 54 automjete dhe katër ekipe këmbësore. Nga ajri operojnë në mënyrë periodike nëntë avionë dhe shtatë helikopterë. Në operacion marrin pjesë edhe 12 zjarrfikës nga Moldavia. Dy zjarrfikës u lënduan: njëri u dërgua në spital me dëmtim në këmbë, ndërsa tjetri pati probleme me frymëmarrjen.
Zona e Halkidhikisë, përfshirë gadishullin e saj të parë, përmendet si një nga zonat e preferuara për pushuesit ballkanikë, duke përfshirë vizitorë serbë, rumunë, shqiptarë, bullgarë dhe nga Maqedonia e Veriut.
Halkidikia nuk ishte e vetme: mbi pesë rajone në Greqi ishin në alarm të kuq për fundjavën për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta që në disa raste arrijnë mbi 110 km/orë. Zjarre të tjera shpërthyen në Aitoloakarnania dhe në Akontio të Viotisë; vatrat në Vartholomio të Ilias në Peloponez dhe në plazhin e Ofrinios në Kavala u vunë nën kontroll. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë Greqinë shpërthyen 40 zjarre agro-pyjore; 31 u kontrolluan në fazën e parë, ndërsa në nëntë vatra operacionet vazhdojnë. Autoritetet greke kanë kryer mbi pesë arrestime në disa rajone për shkaktim zjarresh ose shkelje të rregullave të mbrojtjes nga zjarri, dhe hetimet vazhdojnë për çdo vatër të re.

