Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën e 1,500 aplikuesve të shpallur fitues të programit social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, të cilëve do t’u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Miratimi i kësaj liste u ndoq nga një debat i ashpër lidhur me zhvendosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj në burgun e Fierit.
Në fjalën e saj, Ilda Zhulali iu referua një postimi në Facebook të Veliajt dhe deklaroi se ai është dërguar në izolim pa asnjë dokument zyrtar. Ajo akuzoi se kumbari i tij, Toni Gogu, ka ndikuar te transferimi dhe se Veliaj është trajtuar ashpër për shkak të deklaratave në rrjetet sociale. Zhulali tha se, edhe pse nuk ka empati personale për Veliajn, mënyra e trajtimit të tij është alarmante dhe se kjo tregon rrezikun për qytetarët e tjerë; ajo kërkoi dorëheqjen e qeverisë Rama dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Dorian Teliti theksoi se nuk i intereson aq pozita e kryebashkiakut sa mënyra e zhvendosjes së tij dhe rrethanat e bëmat. Ai përsëriti se Veliaj është “rrëmbyer” dhe kërkoi shpjegime për autorët e vendimit dhe arsyet e rikthimit të tij pas vendimit të Kushtetueses. Teliti lidhur edhe me protestat e studentëve, dënoi dhunën ndaj të rinjve që kanë marrë goditje nga shkopat e gomës dhe nxiti kolegët të bashkohen në protesta për të përfaqësuar qytetarët pa shpresë, të cilët, sipas tij, nuk kanë ku të rrinë dhe protestojnë prej 15 ditësh për strehim.
Halit Valteri shprehu shqetësim për transferimin e papritur dhe kushtet e mbajtjes së Veliajt në Fier. Ai kërkoi që çështja të trajtohet në Këshillin Bashkiak, duke kujtuar vizitën e Avokatit të Popullit dhe nevojën për verifikim e ndërhyrje. Valteri nënvizoi se Veliaj është i paraburgosur dhe gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese dhe kërkoi shpjegime nga Ministria e Drejtësisë dhe burgjet për arsyet e transferimit dhe vlerësimin e nevojave shëndetësore të tij, pasi raportohet se ka edhe këmbën në allçi.

