Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore për mungesën e një rundi të ri të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit në nivel liderësh. Ajo u tha gazetarëve se kishte gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por shpallja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë procesin. Kallas deklaroi se plani për një dialog politik në nivel të lartë kishte marrë miratimin e të dy liderëve, por zgjedhjet e ardhshme kosovare e kanë vonuar realizimin e tij.
Ajo shtoi se po punon veç e veç me të dyja palët për të vazhduar zbatimin e marrëveshjeve tashmë në fuqi. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në shtator të vitit 2023. Kallas mori detyrën e përfaqësueses së lartë të BE-së në dhjetor 2024 dhe që prej atëherë nuk ka qenë nikoqire e ndonjë rundi bisedimesh mes liderëve.
Sot Kallas pret një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre nga Ballkani Perëndimor. Bisedimet mes 27 shefave të diplomacive evropiane dhe gjashtë ministrave të rajonit priten të shërbejnë si hyrje për një debat të mëtejshëm mbi situatën në rajon, që do të zhvillohet po sot, por vetëm në nivel të ministrave të BE-së. Në axhendë është edhe përgatitja për samitin BE–Ballkani Perëndimor, i planifikuar për qershor në Tivat të Malit të Zi.
Sipas diplomatëve evropianë, fokusi kryesor i takimit do të jetë forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe rajonit, rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndikimeve të jashtme, përafrimi me politikën e jashtme të BE-së, si dhe përmirësimi i marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

