Më 21 maj fillon votimi jashtë vendit për shtetasit jashtë Kosovës të regjistruar paraprakisht për të votuar me postë. Bëhet fjalë për rreth 105 mijë votues, shumica e të cilëve ndodhen në shtete evropiane. Një ditë më parë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, mbajti konferencë për media nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, ku shërbimi votues po përgadiste paketat e fundit me fletëvotime për dërgim.
Sipas Elezit, para ditës së mërkurë KQZ-ja ka përgatitur 75,000 pako individuale, të cilat pritet të shpërndahen nga 21 maji, ndërsa rreth 30 mijë të tjera do të dërgohen në aeroport gjatë së enjtes e prej aty për t’u nisur jashtë vendit. Çdo pako është individuale dhe përmban: udhëzuesin për procedurën e votimit, fletëvotimin, zarfin e fshehtësisë dhe zarfin kthyes. Operatorët postarë kanë vendosur numra të veçantë gjurmimi për çdo dërgesë, të cilat janë dërguar votuesve të regjistruar për ndjekje të vendndodhjes së paketës me fletëvotim.
Votimi me postë do të përfundojë më 6 qershor. KQZ-ja ka bërë thirrje që votuesit të mos presin ditën e fundit për të dërguar pakot me fletëvotim, në mënyrë që ato të arrijnë me kohë në kutitë postare dhe më pas të merren për t’u sjellë në Kosovë për numërim.
Për votimin me postë jashtë Kosovës, KQZ-ja ka funksionalizuar kutitë postare në 22 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kroaci, Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Mbretëri e Bashkuar, Norvegji, SHBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër. Po ashtu, është funksionale edhe kutia e përhershme postare e KQZ-së në Kosovë.

