Pak ditë pas emërimit si zv.ministër i Zhvillimit Rural dhe Bujqësisë, Makarios Lazaridis dha dorëheqjen nën presion politik e publik, pasi u zbulua se kishte mbajtur poste shtetërore për të cilat ligji kërkonte diplomë universitare, ndërsa ai dispononte vetëm një certifikatë studimesh nga një kolegj privat, pa njohje si diplomë universitare. Skandali nisi kur opozita dhe mediat dokumentuan emërimin e tij që në vitin 2007 si “shkencëtar special” në Ministrinë e Arsimit dhe më pas në poste të tjera publike, pavarësisht kërkesave ligjore për diplomë bachelor, master ose doktoraturë.
Lazaridis pranoi se diploma e tij nuk ishte njohur nga sistemi grek i ekuivalentimit, por vuri në dukje se emërimi ishte bërë nga administrata e kohës dhe se ai kishte dorëzuar dokumentacionin e kërkuar. Përpjekjet publike të tij për t’u mbrojtur, duke shfaqur një certifikatë nga “The College of Southeastern Europe” dhe duke pretenduar se në 2007 mund të punësoheshin si të emëruar politikë persona pa diplomë universitare, nuk bindën opinionin dhe shumë figura brenda Demokracisë së Re.
Presioni u rrit pas deklaratës publike të deputetes Dora Bakoyanni, motrës së kryeministrit Mitsotakis, e cila kërkoi largimin e tij për të lehtësuar situatën e qeverisë. Pak orë më vonë Lazaridis dorëhoqi, duke shpjeguar në letrën e dorëheqjes se largohej për të mos penguar punën e qeverisë dhe të ministrisë, dhe duke folur për “sulm toksik” nga opozita, ndërsa insistoji se kishte vepruar me ndershmëri.
Opozita e komentoi dorëheqjen si goditje për imazhin e qeverisë Mitsotakis: PASOK e përshkroi çështjen si një “favor personal” të kryeministrit, ndërsa SYRIZA tha se largimi erdhi pas zemërimit të opinionit, jo si produkt i reflektimit politik të qeverisë. Mediat raportuan më tej se pas largimit të Lazaridis si këshilltar në Sekretariatin e Përgjithshëm për Barazinë Gjinore në 2013, vendin e tij e mori bashkëshortja, dhe emri i saj u përfshi më pas në lista të kompanisë Blue Skies, të lidhur me persona të afërt të Demokracisë së Re dhe strukturat e komunikimit të partisë. Këto zhvillime ushqyen akuza për nepotizëm dhe klientelizëm.
Dorëheqja vjen ndërsa qeveria Mitsotakis ndodhet nën presion për menaxhimin e subvencioneve bujqësore të BE nga agjencia shtetërore OPEKEPE, dhe rihapi debatet rreth mënyrës së përzgjedhjes dhe emërimeve në poste publike. Top Channel.















