Policia e Shtetit njofton qytetarët për një skemë të re mashtrimi online që synon përvetësimin e parave. Autorët dërgojnë mesazhe në telefonat e qytetarëve duke u paraqitur në mënyrë të rreme si përfaqësues të institucioneve bankare dhe kërkojnë përditësim të të dhënave bankare, verifikim llogarie ose kryerjen e veprimeve të tjera përmes një linku të përfshirë në mesazh.
Bëhet fjalë për skema “phishing” që synojnë vjedhjen e kredencialeve për e-banking, kodeve të verifikimit (OTP) dhe të dhënave të kartave bankare. Të dhënat e përfituara në këtë mënyrë mund të shfrytëzohen për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe shkaktimin e dëmeve financiare.
Policia jep këshilla konkrete për parandalim: mos klikoni në linke të dërguara përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo aplikacioneve të tjera të komunikimit, veçanërisht kur mesazhi vjen nga numra të panjohur ose të dyshimtë; mos jepni kurrë fjalëkalimet, kodet OTP, PIN-in apo të dhënat e kartës bankare; përpara se të identifikoheni në shërbimet bankare, kontrolloni me kujdes adresën e faqes së internetit dhe sigurohuni që po përdorni kanalet zyrtare të bankës. Policia thekson se bankat nuk kërkojnë të dhëna konfidenciale përmes linkeve të dyshimta dhe se për çdo paqartësi duhet kontaktuar banka vetëm përmes numrave dhe kanaleve zyrtare.
Nëse një qytetar ka klikuar në një link të dyshimtë ose ka dhënë të dhënat e tij bankare, udhëzohet të veprojë menjëherë: të kontaktojë bankën për të bllokuar kartën ose llogarinë dhe për të marrë masat e nevojshme; të ndryshojë menjëherë fjalëkalimet e aksesit në shërbimet bankare; dhe të raportojë rastin në Policinë e Shtetit, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe në çdo drejtori vendore.
Policia e Shtetit apelon për vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj çdo mesazhi, linku apo faqeje interneti që kërkon të dhëna personale, bankare ose kode verifikimi. Konsolidohet mesazhi: Mos klikoni. Mos jepni të dhëna. Verifikoni gjithmonë përmes kanaleve zyrtare.

