Është publikuar rezoluta që anëtarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilirjana Kuçana, kërkoi të lexohej gjatë mbledhjes së Këshillit, kërkesë që solli përplasjen e saj me kryetarin Sali Berisha. Dokumenti, sipas Kuçanës depozituar 24 orë para mbledhjes, përmban kritika të forta për mënyrën e funksionimit të PD-së, kërkon mbështetje të plotë për protestat qytetare kundër qeverisë dhe propozon një sërë reformash të brendshme partiake.
Teksti vëren se protestat në Shqipëri dhe diasporë tregojnë se një pjesë e madhe e qytetarëve nuk ndihen të përfaqësuar nga Partia Demokratike, ndërsa reagimi zyrtar i PD-së ndaj tyre është cilësuar si i pamjaftueshëm. Sipas autorëve, partia ka devijuar nga parimet e procesit të Rithemelimit.
Një nga kërkesat kryesore të rezolutës është që Këshilli Kombëtar të miratojë një vendim për mbështetjen pa kushte të protestës qytetare, duke i bërë thirrje demokratëve t’i bashkohen protestave si qytetarë, pa i organizuar ato politikisht. Dokumenti kërkon gjithashtu që PD të mbështesë zyrtarisht pesë kërkesat e Grupit Koordinues të Protestës, me prioritet dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike, si edhe të dënojë dhunën policore ndaj protestuesve.
Rezoluta propozon një platformë për riorganizimin e PD-së, përmes krijimit të një Forumi të Intelektualëve dhe një Forumi Studentor për Shpëtimin e Shqipërisë, me qëllim përfshirjen e figurave nga shoqëria civile, diaspora dhe të rinjtë në proceset e vendimmarrjes së partisë. Një tjetër pjesë thekson nevojën për “çrrënjosjen e mulizimit”, model i cilësuar si klanor dhe që, sipas dokumentit, ka dëmtuar jetën e brendshme të PD-së.
Mes kërkesave është vendosja e parimit të papajtueshmërisë së funksioneve drejtuese për personat me lidhje ekonomike ose biznesi me oligarkë të lidhur me qeverinë, si dhe transparencë e plotë në emërimet dhe përzgjedhjen e drejtuesve të partisë. Publikimi i dokumentit vjen pas një mbledhjeje të Këshillit Kombëtar të shoqëruar me tensione; Kuçana kërkoi leximin e rezolutës, por Berisha kërkoi respektimin e procedurave statutore, dhe pak minuta pas debateve Partia Demokratike ndërpreu transmetimin për mediat. Top Channel.

