Socialistët depozituan në Kuvend projektligjin për ndarjen e re administrativo-territoriale që ul numrin e bashkive nga 61 në 46. Top Channel siguroi draftin që konkretizon iniciativën: 28 bashki konsolidohen në 13 bashki të reja, duke rezultuar në strukturën me 46 bashki, 71 qytete përbërëse dhe 387 njësi administrative. Modeli ruan bashkinë si njëzinë e vetëqeverisjes vendore me një kryetar, një këshill, një administratë dhe një buxhet të vetëm.
Sipas variantit të socialistëve, në Qarkun Tiranë kryeqyteti mbetet i pandryshuar, por Kavaja dhe Rrogozhina bashkohen në një bashki. Projektligji krijon edhe një njësi të re administrative, Rinasin, e përfshirë në Bashkinë e Tiranës, e formuar nga fshatrat Rinas (Bashkia Krujë) dhe Bërxullë e Domje (Bashkia Vorë) për të bashkuar territorin e Aeroportit “Nënë Tereza” dhe zonën ekonomike përreth.
Qarku Lezhë mbetet i pa ndryshuar; në Shkodër, Puka bashkohet me Fushë-Arrëzin. Në qarkun e Beratit, nga pesë bashki propozohet të mbeten tre: Berati bashkohet me Poliçanin dhe Dimalin, ndërsa Kuçova dhe Skrapari mbeten të veçanta. Elbasani reduktohet gjithashtu; Përrenjas bashkohet me Librazhdin (bashkim që ka ngjallur revoltën e banorëve), ndërsa Elbasani do të përfshijë Belshin dhe Cërrikun; Peqini dhe Gramshi qëndrojnë të ndara.
Në Fier do të ketë përplasje territoriale me shkrirje përfshirëse me Patosin, ndërsa Lushnja do të marrë Divjakën dhe do të ketë dalje në det. Në Dibër, Klosi bashkohet me Matin. Qarku Gjirokastër pëson ndryshime të mëdha: Tepelena me Memaliajin, Përmeti me Këlcyrën, dhe Gjirokastra merr Bashkinë e Libohovës. Vlora merr një pjesë të Labërisë duke u bashkuar me Selenicën. Në juglindje socialistët propozojnë që Maliqi të bashkohet me Korçën, pavarësisht kundërshtive. Qarku Kukës mbetet i pa ndryshuar me tre bashki: Kukës, Has dhe Tropojë.
Modeli i organizimit vlerëson largësitë ekstreme, praninë e minoriteteve, vijueshmërinë gjeografike, aksesin rrugor dhe veçoritë identitare. Për këtë arsye, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli ruhen si raste të veçanta, pavarësisht treguesve financiarë dhe demografikë. Përfaqësimin e qyteteve të bashkuara me bashkitë e mëdha socialistët e parashikojnë përmes kuotave, ku secila bashki e konsoliduara do të ketë një numër të caktuar anëtarësh në këshillin bashkiak të qytetit të madh, si formulë për të garantuar mbrojtjen e interesave të bashkive që bashkohen.

