Finalizohet operacioni i koduar “Infrastruktura” në Tiranë, ku u zbulua një magazinë me mbi 450 pajisje dhe artikuj të kontrabanduar, midis të cilëve dronë, dedektorë, pajisje zbuluese dhe regjistruese. Në magazinë u sekuestruan edhe 75 llastiqe gjuetie dhe një sasi e konsiderueshme me sfera metalike.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, pas administrimit të informacioneve operative, arrestuan pas konsultimit me prokurorin shtetasin O. M., 23 vjeç, banues në Tiranë. Ai u kap në flagrancë në rrugën “Tre Dëshmorët” duke iu shitur pjesëmarrësve në protestë 30 llastiqe gjuetie me sfera metalike, të cilat u sekuestruan si provë materiale. Autoritetet bëjnë të ditur se 23-vjeçari dyshohet për qëllime të kundërligjshme.
Kontrolli në magazinën e tij në rrugën “Kol Koçi” nxorri në dritë një gamë të gjerë pajisjesh dhe artikujsh, përfshirë: 239 dronë të madhësive të ndryshme; 44 celularë; 17 powerbank; 10 pajisje për lokalizimin GPS të automjeteve; 11 llamba LED; 3 drynë elektronikë me GPS; 1 pajisje elektronike me antenë (RFGS Detector); 3 palë syze me videoregjistrues; pajisje DVR; 7 pajisje Bluetooth për automjete; 8 pajisje Blackbox me kamera për automjete; 1 kompresor; 8 elektrikë dore; 6 pajisje lazer; 2 pajisje Xiaomi Smart Plug 2; 3 pajisje elektronike të tjera; 5 pajisje K-68 për zbulimin e GPS-ve dhe kamerave; 12 pajisje kompjuterike (mouse); 7 pajisje me lojëra kompjuterike; 7 pajisje Watch 10 Pro Max; dhe 8 çanta me hapje me gjurmë gishtash. Shtetasi O. M. nuk dispononte asnjë dokumentacion për këto pajisje/artikuj.
Hetimi vijon për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të O. M. dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme lidhur me veprat penale: “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të parregjistruar në organet tatimore dhe moslëshimi i kuponit tatimor, dëftesës ose faturës tatimore”.

