Një operacion policor çoi në zbulimin e një lokali në bulevardin “Zhan d’Ark” që, sipas hetimeve, ishte përshtatur për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe për përdorimin apo shitjen e lëndëve narkotike. Gjatë aksionit u arrestua pronari i lokalit, ndërsa një tjetër person u kap në flagrancë duke kryer veprimtari të lidhura me bixhozimin.
Operacioni, i koduar “Vendtakimi”, u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale. Aksioni u realizua në kuadër të kontrolleve të ndërmarra për goditjen e ambienteve që përdoren për veprimtari kriminale, me qëllim evidentimin dhe ndalimin e aktiviteteve të paligjshme brenda biznesit të dyshuar.
Në pranga ranë shtetasit me iniciale Z. T., 56 vjeç, i identifikuar si pronar i lokalit, dhe G. E., 33 vjeç, i cili u kap në flagrancë brenda ambienteve të biznesit duke vendosur baste sportive përmes telefonit celular. Arrestimi i personit që po vendoste bastet u krye në vendngjarje, sipas njoftimit të Policisë.
Gjatë kontrollit në lokal forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan një sasi të lëndës së dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Gjithashtu u sekuestruan tre telefona celularë, të cilët dyshohen se përdroheshin për organizimin e basteve sportive brenda ambientit të lokalit. Materialet e sekuestruara u morën si prova procedurale në kuadër të hetimeve.
Të gjitha materialet procedurale lidhur me këtë rast i janë referuar Prokurorisë së Tiranës. Prokuroria do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të veprimtarisë së paligjshme të konstatuar dhe për përcaktimin e përgjegjësive të personave të përfshirë.

