Operacioni policor i koduar “Baza” në Manzë të Durrësit çoi në zbulimin e një baze të dyshuar furnizimi me armë zjarri dhe municion luftarak për grupe kriminale dhe në arrestimin në flagrancë të një 20-vjeçari. Shërbimet e Stacionit të Policisë Manzë, në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Durrës, organizuan dhe finalizuan operacionin bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasit E. P., 20 vjeç, policia sekuestroi si prova materiale 4 armë zjarri pistoletë, 1 armë zjarri automatike model 56 (kallashnikov), 1 armë gjahu (shotgun), 6 krehëra, qindra fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm, një targë automjeti italiane dhe një aparat celular. Armët dhe municioni dyshohet se shërbenin për furnizimin e grupeve kriminale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasi E. P. u arrestua në flagrancë. Armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekspertimit në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë. Policia njofton se vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për ndjekje penale për veprat “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Policia thekson se operacioni erdhi si pjesë e punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale.

