Zyra Amerikane e Etikës Qeveritare publikoi deklaratën vjetore financiare të Presidentit Donald Trump, një dokument prej 927 faqesh që pasqyron të ardhurat, investimet dhe pasurinë e tij gjatë vitit të parë të mandatit të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Dokumenti tregon se Trump ka gjeneruar të ardhura nga dhjetëra burime, përfshirë bizneset, produktet e markës së tij, investimet në bursë, kriptomonedhat dhe marrëveshjet ligjore me kompani të mëdha mediatike.
Deklarata e vitit 2025 është shumë më e gjatë se ajo e zëvendëspresidentit JD Vance (17 faqe) dhe e ish-presidentit Joe Biden për vitin 2024 (11 faqe). Nga aktivitetet e markës, Trump përfitoi miliona dollarë: fondi “Save America” solli rreth 1.8 milionë dollarë; Bibla me markën Trump gjeneroi 208 mijë dollarë; parfumet dhe atletet mblodhën rreth 67 mijë dollarë; dhe kitara “American Eagle” në edicion të limituar solli rreth 36 mijë dollarë.
Zonja e Parë, Melania Trump, rezulton të ketë fituar mbi 17 milionë dollarë, përfshirë 10.7 milionë dollarë nga dokumentari “Melania” i prodhuar nga Amazon, ku ishte protagonist dhe producente; rreth 6 milionë dollarë nga shitja e NFT-ve; dhe afërsisht 520 mijë dollarë nga libri i saj autobiografik.
Deklarata rrëfon gjithashtu 21.285 transaksione me aksione në emër të Trump gjatë vitit 2025, kryer përmes fondeve që menaxhojnë pasurinë e tij. Një nga investimet kryesore lidhet me kompaninë e teknologjisë Nvidia, ku gjatë vitit janë blerë aksione me vlerë nga 5 deri në 25 milionë dollarë, ndërsa më vonë u ndërmorën investime të tjera. Trump deklaroi se nuk merr pjesë drejtpërdrejt në vendimet për investimet personale: “Nuk merrem me financat e mia personale. Fondet që menaxhojnë pasurinë time investojnë në mënyrë të pavarur dhe unë nuk diskutoj me ta”.
Ai vazhdon të përfitojë edhe nga karriera në argëtim, duke marrë 86.532 dollarë nga dy pensione të sindikatës së aktorëve SAG-AFTRA për paraqitjet në filma dhe emisione televizive, përfshirë “Home Alone 2” dhe “The Apprentice”. Një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave për vitin 2025 erdhi nga marrëveshjet ligjore me kompani mediatike dhe teknologjike: Meta pagoi 24.5 milionë dollarë; ABC News dhe Paramount nga 16 milionë dollarë secila; YouTube 22 milionë dollarë; dhe bashkëthemeluesi i Twitter, Jack Dorsey, 8 milionë dollarë. Dokumenti specifikon se pjesë e këtyre fondeve do të përdoren për ndërtimin e bibliotekës presidenciale të Donald Trump, ndërsa mjetet nga marrëveshja me YouTube do të shkojnë në fondin që administron National Mall në Uashington.

