Zbulime arkeologjike nën Kishën e Varrit të Shenjtë në Jerusalem kanë nxjerrë në dritë elemente të një peizazhi të lashtë varrimi që përputhen në disa pika me përshkrimet e Dhiatës së Re për vendin ku, sipas traditës, u varros Jezu Krishti. Arkeologët italianë raportojnë gjetje të varreve të gdhendura në shkëmb, zona të kultivuara, një gurore të braktisur dhe gjurmë të një kopshti të lashtë. Rezultatet paraprake janë publikuar në Liber Annuus.
Gërmimet, të nisura në 2022 si pjesë e restaurimit të dyshemesë së kishës së shekullit IV, sollën gjatë fazave të fundit në 2025 zbulesa të një peizazhi antik që përfshin gurorekë, fusha të kultivuara, varre të gdhendura direkt në shkëmb dhe shenja të një kopshti. Këto elemente tërheqin vëmendje për ngjashmërinë me përshkrimin në Ungjillin e Gjonit, i cili përmend një kopsht dhe një varr të ri pranë vendit të kryqëzimit.
Sipas studiuesve, guorra në kohën e Jezusit ndodhej jashtë murit të Jerusalemit; pjesë të saj arrinin rreth gjashtë metra thellësi dhe më vonë u mbushën me dhe, gjë që sugjeron përdorim bujqësor. Arkeologët gjetën prova për kultivimin e ullinjve dhe hardhive, me datime që përputhen me periudhën rreth vitit 33 pas Krishtit. Drejtoresha e gërmimeve, Francesca Romana Stasola nga Universiteti “La Sapienza”, tha se identifikuan fusha të kultivuara përputhëse me përshkrimet e një zone të gjelbër midis Golgotës dhe varrit.
Vetë varret e gdhendura në shkëmb konfirmojnë përdorimin e zonës si vend varrimi, duke përputhur rrëfimet në Ungjijtë e Mateut, Markut dhe Lukës. Megjithatë, nuk janë gjetur mbetje njerëzore që të lidhen me Jezusin. Studiuesit po shqyrtojnë gjithashtu një dhomë varrimi që ishte bllokuar nga një strukturë romake e ndërtuar gjatë sundimit të Hadrianit në shekullin II, e cila më pas u shkatërrua gjatë kohës së Perandorit Kostandin dhe shërbeu si shkak për gërmime dhe për krijimin e një hapësire pelegrinazhi.
Arkeologët theksojnë se, pavarësisht ngjashmërive me burimet biblike, zbulimet nuk ofrojnë prova përfundimtare që të vërtetojnë se bëhet fjalë për varrin e Jezu Krishtit. Ata vlerësojnë megjithatë se mënyra si vendi është ruajtur dhe kthyer në një hapësirë pelegrinazhi që nga shekujt e parë mund të tregojë transmetimin ndër breza të njohurisë për rëndësinë e tij.

