Rreth 332 mijë kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare u paraqitën në vendet e Bashkimit Evropian dhe në katër vendet e asociuara të zonës Shengen gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, një rënie prej 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të dhënat vijnë nga raporti i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Azilin (EUAA), “Latest Asylum Trends: Mid-Year Review 2026”. Ky është niveli më i ulët i kërkesave për azil në një gjashtëmujor të parë që nga viti 2021 dhe, përjashtuar vitet e pandemisë, niveli më i ulët që nga 2019.
Sipas EUAA-së, rënia lidhet pjesërisht me ndryshimin e përbërjes së kombësive të aplikantëve, veçanërisht pas zhvillimeve politike në Siri, si dhe me përpjekjet e vendeve të BE-së për të forcuar bashkëpunimin me vendet e origjinës dhe të tranzitit të migrantëve.
Franca ishte destinacioni kryesor gjatë gjysmës së parë të vitit, me rreth 69 mijë kërkesa, ose rreth një e pesta e totalit. Italia renditet e dyta me rreth 66 mijë kërkesa, ndërsa Spanja dhe Gjermania regjistruan secila rreth 55 mijë kërkesa. Në total, këto katër vende pritën rreth 75% të të gjitha kërkesave për azil në hapësirën BE+, përqindje pak më e ulët se periudhat e mëparshme kur ato përballonin rreth katër të pestat e kërkesave.
Kur të dhënat llogariten në raport me popullsinë, Italia regjistroi 1.127 kërkesa për azil për çdo milion banorë, ndërsa mesatarja për hapësirën BE+ ishte 710 kërkesa për milion banorë. Italia shfaqet pranë Spanjës, Francës, Belgjikës dhe Irlandës për këtë tregues, ndërsa niveli më i lartë u regjistrua në Greqi, me 2.254 kërkesa për milion banorë.
Në Itali, shtetasit e Bangladeshit vazhdojnë të jenë grupi më i madh i aplikantëve, me rreth 28 mijë kërkesa, një rënie prej vetëm 3% krahasuar me periudhën e mëparshme. Kërkesat e shtetasve egjiptianë u rritën me 50%, duke arritur rreth 15 mijë. Rritje të ndjeshme u shënuan edhe nga Afganistani (+77%), Kina (+43%) dhe Sri Lanka (+23%), ndërsa kërkesat nga Maroku ranë me 22% dhe ato nga Peruja me 12%.
Të dhënat e EUAA-s tregojnë një ndryshim në dinamikën e azilit në Evropë gjatë vitit 2026: një rënie e përgjithshme e aplikimeve, por me ndryshime të dukshme në origjinën e aplikantëve dhe në shpërndarjen e tyre midis vendeve pritëse.

