Warren Buffett ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Berkshire Hathaway dhe iu ka kaluar drejtimin e bordit djalit të tij, Howard Buffett. Në moshën 96-vjeçare, investitori legjendar do të mbajë një rol këshillues si kryetar emeritus dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e bordit të kompanisë. Vendimi shënon një tjetër hap në tranzicionin e planifikuar prej kohësh në një prej konglomerateve më të mëdha amerikane. Në një letër drejtuar aksionarëve, Buffett tha se do të mbetet në bord për të ofruar “gjykimin dhe perspektivën e tij”, ndërsa përgjegjësia për drejtimin e bordit i kalon Howard Buffett. “Koha është e duhur për të përfunduar tranzicionin”, shkroi ai, duke iu referuar edhe moshës së tij dhe familjes së tij.
Ky ndryshim vjen rreth nëntë muaj pasi Buffett ia dorëzoi postin e drejtorit ekzekutiv Greg Abel, duke i kaluar atij përgjegjësinë për menaxhimin e përditshëm dhe strategjinë e kompanisë. Abel do të vazhdojë të mbikëqyrë strategjinë e korporatës dhe vendimet për shpërndarjen e kapitalit. Howard Buffett do të përqendrohet kryesisht te ruajtja e “kulturës dhe vlerave” të Berkshire Hathaway. Ai është anëtar i bordit që nga viti 1993 dhe sjell në këtë rol më shumë se tre dekada përvojë në kompaninë e drejtuar nga babai i tij.
Warren Buffett mori kontrollin e Berkshire Hathaway në vitin 1965, kur kompania ishte një biznes tekstili në vështirësi në New England. Gjatë dekadave që pasuan, ai e transformoi kompaninë në një konglomerat global me vlerë rreth 1.1 trilion dollarë. Sot, Berkshire Hathaway zotëron një portofol të gjerë biznesesh, përfshirë kompaninë e sigurimeve të automjeteve GEICO, zinxhirin e restoranteve Dairy Queen dhe kompaninë hekurudhore BNSF. Strategjia e tij lidhet me investimin në vlerë: identifikimin e kompanive me themele të forta, blerjen e aksioneve me çmime të konsideruara të arsyeshme dhe mbajtjen e tyre për periudha shumë të gjata.
Letrat vjetore të Buffett dhe mbledhjet përvitshme të aksionarëve e kanë bërë atë një figurë me ndikim të gjerë në botën financiare. Berkshire Hathaway ka siguruar investitorët se operacionet e përditshme do të vazhdojnë nën drejtimin e Greg Abel, ndërsa roli i Howard Buffett do të jetë kryesisht mbikëqyrës. Përveç përvojës së gjatë në bord, Howard ka punuar si fermer, filantrop dhe sherif, duke sjellë një profil të ndryshëm nga ai i babait të tij.

