Gjykata e Durrësit vendosi të mërkurën masën e sigurisë “Arrest në burg” për 27-vjeçarin Meklajd Meçaj, të akuzuar për vrasjen me thikë të fqinjit të tij, 60-vjeçarit Rrapush Memolla. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e vonë të së shtunës rreth orës 21:50 në lagjen Mollaj të Rrogozhinës.
Sipas akuzës, vrasja u shkaktua pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Meçaj u shfaq para trupit gjykues i qetë dhe me dorën e fashuar, pasi pretendon se u plagos gjatë përleshjes me viktimën. Ai pretendon se nuk ka pasur qëllim ta vrasë 60-vjeçarin, duke thënë se Memolla e goditi i pari dhe se ai veproi për të mbrojtur veten. Meçaj deklaroi se viktima e kishte provokuar duke ndalur makinën pranë shtëpisë së tij dhe i kishte ndezur dritat e gjata, dhe se konflikti i viktimës ishte më parë me një kushëri të tij, jo me të personalisht.
Nga hetimet dhe dëshmitë e para rezulton se pas konfliktit Meklajd Meçaj goditi me thikë Rrapush Memollën, i cili për shkak të plagëve të rënda ndërroi jetë rrugës për në spital. Autori mbeti i lënduar lehtë në dorë, dyshohet nga viktima, dhe u arrestua nga shërbimet e policisë pak çaste pas ngjarjes. Gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë për të mbajtur të pandehurin në qeli deri në përfundim të hetimeve.
Raportohet se Meçaj rezulton i dënuar më parë në Gjermani. Gjetjet e mëtejshme dhe provat që do të merren gjatë hetimeve pritet të sqarojnë rrethanat e konfliktit dhe aktin e dhunës që çoi në vdekjen e 60-vjeçarit. Për momentin, i riu akuzohet për vrasje me dashje dhe ndodhet i arrestuar në institucionin e paraburgimit, ndërsa hetimet vijojnë nën drejtimin e organit të akuzës.

