Vrasja e Artan Myrtajt dhe plagosja e një këmbësori në Sarandë kanë nxitur ndërhyrjen e strukturave më të larta të Policisë së Shtetit. Një ditë pas ngjarjes së ndodhur paraditen e 20 shtatorit 2026, drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar ngritjen e një grupi të posaçëm me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale dhe të Departamentit të Sigurisë Publike për të kryer një rivlerësim të thelluar të situatës kriminale në rrethin e Sarandës.
Ky rivlerësim po zhvillohet në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, stafin drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë dhe strukturat e tij hetimore. Një analizë paraprake është zhvilluar edhe nga drejtuesit e komisariatit në prani të Drejtorit të Përgjithshëm, si pjesë e masave të marra për zbardhjen e ngjarjes.
Përveç vlerësimit të situatës kriminale, po kryhet edhe një rivlerësim i performancës së gjithë zinxhirit drejtues të Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe i efektivëve të rolit bazë dhe të rolit të parë drejtues. Sipas njoftimit, veprimet e duhur do të ndërmerren në bazë të rezultateve të këtij rivlerësimi.
Paralelisht, po punohet për krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe për luftën kundër krimit të organizuar, si dhe për garantimin e mbështetjes së tyre me bazën e nevojshme logjistike. Këto masa synojnë forcimin e kapaciteteve hetimore dhe operative për trajtimin e rasteve komplekse.
Në lidhje me ngjarjen konkrete, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet intensive hetimore, të koordinuara ngushtë me veprimet operacionale të shërbimeve të Policisë në terren. Policia e Shtetit deklaron angazhimin maksimal për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe nxjerrjen përpara drejtësisë të autorëve, si dhe për forcimin e sigurisë në territorin e Sarandës dhe në të gjithë vendin.

