TIRANË- Në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar mesditën e sotme procesi gjyqësor për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. 5 të mitur kanë dëshmuar para trupit gjykues. Ata kanë dëshmuar në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.
Mes dëshmitarëve ishte edhe i mituri K.B, i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e ngjarjes. Familjarët e Canit pas ngjarjes së rëndë kanë patur dyshime se ky dëshmitar ka lidhje me ngjarjen dhe kanë kërkuar që të zbardhet sa më shpejt e vërteta.
Dëshmia e të miturve është zhvilluar pa praninë e autorit të dyshuar, Mario Perlleshaj. Avokati mbrojtës i Përlleshajt është shprehur se autori i dyshuar vijon të mohojë akuzat për vrasje, duke pretenduar se ka qëlluar vetëm ndaj Luis Meces dhe jo ndaj Canit.
Seanca e ardhshme pritet të zhvillohet me dëshminë e 7 personave të tjerë, ku përfshihen 4 të mitur, të cilët gjithashtu do të dëshmojnë në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes.
Vrasja e Martin Canit
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit 2024 pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare ‘Fan Noli’. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.
Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital.
I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëjtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.