Policia britanike kundër terrorizmit ka marrë drejtimin e hetimit për vdekjen e dyshuar të ish-deputetes së Parlamentit britanik, Ann Widdecombe, njoftoi të hënën ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood. Fillimisht autoritetet kishin deklaruar se nuk kishte të dhëna që vdekja e Widdecombe të ishte një akt terrorist apo e motivuar politikisht, por hetimi tashmë po udhëhiqet nga njësitë kundër terrorizmit, sipas raportimit të CNN-it.
Ish-deputetja u gjet e vdekur të enjten në banesën e saj në Haytor, Devon, në jugperëndim të Anglisë. Policia beson se Widdecombe kishte humbur jetën një ditë para se trupi i saj të zbulohej. Ndihmës shefi i policisë, Matt Longman, deklaroi se ajo kishte pësuar “dëmtime të rënda” dhe bëri me dije se hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që rrethuan vdekjen e saj.
Të shtunën, policia arrestoi një të ri 28-vjeçar në South Yorkshire nën dyshimin për vrasje. Sipas njoftimit të policisë së Devon dhe Cornwall, personi i ndaluar është shtetas britanik dhe ndodhet në paraburgim. Arrestimi u krye me mbështetjen e njësive kundër terrorizmit në verilindje të Anglisë dhe policisë së South Yorkshire, të cilat vepruan në emër të policisë së Devon dhe Cornwall.
Autoritetet konfirmuan se hetimet janë në vazhdim ndërsa policia po punon për të përcaktuar shkallën dhe natyrën e dëmtimeve, si dhe rrethanat që çuan në vdekjen e ish-deputetes. Nuk janë dhënë detaje të tjera për motivet apo lidhjet e mundshme të ngjarjes jashtë faktit se hetimi tani po drejtohet nga njësitë kundër terrorizmit. Policia ka njoftuar gjithashtu se personi i arrestuar po mbahet në paraburgim për ndjekje të mëtejshme ligjore ndërsa vazhdojnë veprimet hetimore në vendin e ngjarjes dhe në zonat përkatëse ku u krye arrestimi.

