Drejtësia shqiptare ka hedhur një tjetër hap për të ekstraduar nga Anglia në Shqipëri pesë të dyshuarit nën akuzë për përfshirje në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulajt. Një zëdhënëse e Gjykatës Supreme në Londër konfirmoi për gazetarin e Top Channel se kjo gjykatë ka pranuar kërkesën e shtetit shqiptar për të apeluar vendimin e Gjykatës së Lartë që bllokoi ekstradimin.
Janë Lord Lloyd-Jones, Lord Burrows dhe Lady Rose, tre anëtarët e Gjykatës Supreme angleze, që dhanë dritën jeshile për kërkesën e apelimit. Në muajt në vazhdim, Gjykata Supreme do të shqyrtojë nëse ishte i drejtë vendimi i Gjykatës së Lartë, e cila bllokoi ekstradimin me kërkesën e mbrojtjes, pasi Yvette Cooper, ish-sekretarja e shtetit për punët e brendshme, kishte gabuar në emërtimin e akuzave kur lëshoi certifikatat e ekstradimit.
Në gusht 2024, Gjykata e Ekstradimeve në Londër kishte pranuar kërkesën e Shqipërisë për të ekstraduar Edmond Haxhinë, Harry Simpson, Thomas Mithan, Steven Hunt dhe Harriet Bridgeman, me akuzën “vrasje me paramendim”. Top Channel raportoi se sekretarja e shtetit kishte vendosur gabimisht në certifikatën e ekstradimit akuzat e vjetra “Vrasja për shkak të gjakmarrjes” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.
Më pas, në maj 2026, Gjykata e Lartë pranoi apelimet e të pestëve duke u bazuar në mospërputhjen midis kërkesave për ekstradim dhe asaj që kishte firmosur sekretarja e shtetit; si pasojë, urdhrat e ekstradimit u shfuqizuan. Aktualisht, Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe Steven Hunt vijojnë të mbahen në paraburgim në Londër, ndërsa Harriet Bridgeman është e lirë me kusht. Të pandehurit dyshohen se kanë marrë pjesë në një plan që çoi në vrasjen e Ardian Nikulajt.
Për këtë vrasje, disa muaj më parë Gjykata e Lezhës dënoi me burgim të përjetshëm Ruben Saraivën.

