Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, zhvilloi një takim me strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi paraditen e sotme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 44-vjeçar dhe u plagos një 73-vjeçar, kalimtar i rastit. Gjatë takimit Hita kërkoi hetime të shpejta dhe të thelluara, duke kërkuar një skanim tërësor të situatës operative nga evidentimi i konflikteve më të mprehta deri te ato më të vogla. Ai kërkoi gjithashtu identifikimin e personave me precedent dhe të kontingjentit kriminal që është në zonë, por edhe atij shëtitës, si dhe rezultate konkrete për dokumentimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur sot dhe për ngjarje të kaluara.
Drejtori theksoi rëndësinë e hetimeve intensive pas përfundimit të sezonit turistik dhe theksoi nevojën e goditjes pa kompromis të grupeve kriminale që veprojnë në qytet, si dhe evidentimin e çdo veprimtarie të paligjshme. Ai njoftoi mbështetje me burime njerëzore dhe krijimin e strukturave të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, si edhe ofrimin e bazës logjistike, duke theksuar se reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale janë të rëndësishme. “Tashmë që sezoni turistik pothuajse ka mbaruar, fokusi i punës tonë do të jetë intensifikimi i hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve kriminale, edhe të atyre të ndodhura vitet e kaluara. Goditja pa kompromis e grupeve kriminale që veprojnë në qytet dhe evidentimi i çdo veprimtarie të paligjshme të tyre. Do t’ju mbështes me burime njerëzore, duke krijuar struktura të specializuara për hetimin e krimeve të rënda dhe kundër krimit të organizuar, por edhe me bazë logjistike. E rëndësishme është reagimi profesional dhe përkushtimi i strukturave aktuale”, u shpreh Hita.
Në lidhje me hetimet për ngjarjen, po ushtrohen kontrolle edhe nëpërmjet dronëve në territore të ndryshme të zonës së Sarandës dhe Delvinës. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për administrimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit.

