Gjatë festivalit tradicional të San Ferminit në Pamplona, një vrapues u plagos rëndë në fytyrë pasi u godit nga briri i një demi, ndërsa 12 persona të tjerë morën lëndime gjatë vrapimit të pestë me dema. Shtatë vrapime janë planifikuar gjatë festivalit, dhe vrapimi i së shtunës ishte i pesti nga tetë në total. Gjashtë dema u lëshuan në rrugët e ngushta të qytetit dhe itinerari zgjati rreth dy minuta e gjysmë. Gjatë garës shumë pjesëmarrës u rrëzuan në kalldrëm ndërsa demat vazhduan drejt arenës, ku më vonë atë ditë u vranë nga toreadorët.
Sipas Spitalit Universitar të Navarrës, një burrë kishte plagë të rënda në fytyrë nga goditja me bri, ndërsa 12 të tjerë morën trajtim mjekësor për lëndime të ndryshme. Pamjet e ngjarjes tregojnë se një dem i zi u shkëput nga grupi në fillim të garës dhe u vërsul drejt turmës së vrapuesve, duke goditur njërin prej tyre në anën e fytyrës. Autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse personi i filmuar dhe ai që u dërgua me plagë të rënda në spital janë i njëjti.
Ky vit shënon edhe 100-vjetorin e botimit të romanit “Dielli gjithashtu lind” të Ernest Hemingway, vepër që e bëri festivalin e San Ferminit të njohur në mbarë botën. Edhe pse vdekja e fundit gjatë vrapimeve me dema u regjistrua në vitin 2009, incidentet me plagosje nga brirët e demave dhe frakturat mbeten të shpeshta. Në këtë aktivitet marrin pjesë çdo vit si vendas me përvojë ashtu edhe shumë turistë pa eksperiencë.
Pjesëmarrësit tradicionalisht vishen me rroba të bardha, rrip dhe shall të kuq, simbol i festivalit. Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e kafshëve vazhdojnë të protestojnë çdo vit kundër këtij eventi, duke e cilësuar atë një praktikë mizore dhe të pajustifikuar ndaj kafshëve.

