Numri i shtetasve të huaj që aplikojnë për leje qëndrimi dhe leje pune në Vlorë është rritur, me një shtim të kërkesave sidomos gjatë sezonit turistik, njofton Zyra e Emigracionit. Për të përballuar fluksin, janë shtuar edhe ditët e aplikimeve.
Të huajt që kanë ardhur në Vlorë thonë se arsyet kryesore janë punësimi dhe mundësia për të jetuar në Shqipëri për periudha më të gjata. Një prej tyre tregon se prej dy muajsh ndodhet në Shqipëri dhe punon në një hotel në Vlorë. Një tjetër, i cili jeton prej një viti në Shqipëri dhe punon në kuzhinë, thotë se po mendon të zgjasë kontratën dhe të qëndrojë në vend, pasi i pëlqen shumë Vlora, të cilën e cilëson si një vend të qetë, me njerëz të thjeshtë dhe të komunikueshëm. “Punoj si kameriere në Dhërmi dhe më pëlqen shumë këtu. Në shtator mendoj të zhvendosem në Tiranë”, shprehet një tjetër shtetase e huaj. Një shtetase nga Filipinet thotë se ka vetëm 11 ditë në Shqipëri; ajo ka ardhur për të punuar me një kontratë njëvjeçare dhe punon në mirëmbajtjen e shtëpive dhe vilave, ndërsa familja e saj ndodhet në Filipine.
Përveç punëtorëve të huaj, Vlora po tërheq edhe shtetas që zgjedhin të jetojnë në Shqipëri pas daljes në pension. Një pensionist që jeton prej katër vitesh aty thotë se ka gjetur shumë mundësi dhe se është krijuar një komunitet pensionistësh i lidhur me Vlorën.
Sektori i Migracionit në Vlorë përpunon kërkesat për leje qëndrimi edhe për qytetet e Fierit, Beratit dhe Sarandës. Në total, 7,500 shtetas të huaj kanë marrë leje qëndrimi, me përqendrimin më të lartë në rajonet e Vlorës dhe Sarandës. Lejet janë lëshuar kryesisht për punëtorë nga Filipinet, India dhe Mianmari, duke reflektuar rritjen e kërkesës për fuqi punëtore të huaj, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

