Një grabitje e madhe u regjistrua në Toskanë, në kantinën e kompanisë së verërave Marchesi Antinori në zonën e Kortonës, provinca e Arezzos, ku një grup prej të paktën shtatë personash vodhi rreth 30,000 shishe verë luksoze me vlerë totale rreth 5 milionë euro. Ngjarja, që sipas mediave italiane dhe britanike si “Corriere della Sera” dhe “Financial Times” konsiderohet si një nga vjedhjet më të mëdha të verës në Itali për nga vlera e mallrave të marrë, preku shishe të markave Solaia, Tignanello dhe Guado al Tasso, të prodhimit të vitit 2023. Rreth 10,000 shishe i përkasin verës Solaia; çmimi i një shisheje luhatet nga 120 deri në 300 euro.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur natën e së dielës. Autorët kanë çaktivizuar sistemin e alarmit dhe kamerat e sigurisë, kanë hyrë në ambientet e kompanisë me dy kamionë dhe kanë përdorur pirunët ngritës për të ngarkuar shishet. Vjedhja u zbulua të hënën në mëngjes kur punonjësit konstatuan mungesën e mallrave. Administratori i kompanisë, Renzo Cotarella, e ka cilësuar grupin si shumë të përgatitur dhe ka shprehur dyshime se mund të jetë fjala për të njëjtët autorë që kanë goditur kantina të tjera në Itali gjatë muajve të fundit.
Kompania shpreh shqetësim mbi destinacionin e verërave të vjedhura: ato mund të përfundojnë te koleksionistë privatë ose pronarë lokalesh, por shitja e sasisë së madhe dhe me vlerë të lartë mund të ngrejë dyshime. Kujdes të veçantë paraqet Solaia, e cila prodhohet vetëm rreth 60–70 mijë shishe në vit; nxjerrja në treg e 10,000 shisheve jashtë kanaleve zyrtare mund të tërheqë vëmendje. Antinori ka nisur njoftimin e klientëve të saj në mbarë botën, duke i kërkuar të jenë të kujdesshëm ndaj ofertave të dyshimta dhe shitjeve jashtë rrugëve zyrtare të shpërndarjes.
Drejtuesit shpresojnë që malli të gjendet, duke vënë në dukje se transporti me dy kamionë nuk mund të zhdukej lehtësisht pa lënë gjurmë. Rasti ka ngritur gjithashtu pyetje mbi mënyrën se si një sasi kaq e madhe vere luksoze mund të shitej në tregje ndërkombëtare pa u zbuluar origjina e saj.

