Në një vend normal, pasuritë natyrore janë bekim për qytetarët. Në Shqipëri, shpesh duket sikur ato janë kthyer në një burim fitimi për pak njerëz dhe në një barrë për shumicën. Nafta, që duhet të ishte një nga asetet më të mëdha të ekonomisë sonë, prej vitesh është shoqëruar me dyshime për abuzime, kontrata të pafavorshme dhe miliona euro që dalin nga xhepat e qytetarëve.
Kur dëgjon shifrat që po dalin për menaxhimin e pasurive tona natyrore, lind një pyetje e thjeshtë: kush po e mbron interesin e shqiptarëve?
Sipas gjetjeve të Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kohën kur Eltar Deda drejtonte Albpetrol, janë paguar rreth 3 milionë euro energji elektrike me para publike për Bankers Petrolium që shfrytëzojnë vendburimet e naftës. Bankers është kompania që ka abuzuar me pasurinë e shqiptarëve dhe ka përvetësuar 6 miliard euro. E ka vjedhur naftën e shqiptarëve dhe më pas nil paguan as energjinë elektrike. Eltar Deda i puguan “hajdutëve” të Bankers 3 milion euro energji. Kjo është një aferë e pastër e dokumentuar nga KLSH.

Pra, ndërsa qytetarët paguajnë çdo muaj faturat e tyre të energjisë dhe përballen me çmime gjithnjë e më të larta, rezulton se miliona euro nga taksat e tyre përdoren për të paguar energjinë e kompanive që nxjerrin naftën e Shqipërisë. Në vend që këto kompani të mbajnë vetë kostot e operimit, barra u kalon qytetarëve.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, për vite me radhë është diskutuar edhe për mënyrën se si kompani si Bankers Petroleum kanë shfrytëzuar vendburime me vlera të jashtëzakonshme, ndërkohë që kontributi real në taksa ka qenë minimal. Flitet për miliarda euro naftë të nxjerrë nga toka shqiptare, ndërsa shteti dhe qytetarët marrin shumë më pak nga sa duhet.
Në këtë situatë lind një tjetër pyetje e drejtë dhe legjitime për opinionin publik: a duhet të nisë një hetim?
Institucioni që ka në dorë të hetojë korrupsionin dhe abuzimin me detyrën në nivele të larta është Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kur një raport zyrtar i auditimit konstaton dëme ekonomike apo shpenzime në kundërshtim me kontratat, është normale që qytetarët të presin që drejtësia të verifikojë çdo përgjegjësi.
Askush nuk duhet të paragjykohet pa hetim dhe pa prova. Por në një shtet normal, kur flitet për miliona euro para publike dhe për pasuritë natyrore të vendit, transparenca dhe hetimi janë detyrim, jo zgjedhje.
Nafta është pasuri kombëtare. Ajo nuk është pronë e zyrtarëve, as e kompanive që bëjnë marrëveshje të dyshimta. Ajo është pasuri e çdo shqiptari.
Prandaj pyetja mbetet e hapur: nëse raportet zyrtare flasin për dëm ekonomik dhe vendime të diskutueshme, a nuk është momenti që SPAK të hetojë deri në fund për të sqaruar përgjegjësitë dhe për t’i dhënë qytetarëve përgjigjen që meritojnë?















