Kryeministri Edi Rama ndodhet në një vizitë disa ditore në Korenë e Jugut, ku në agjendë ka disa takime zyrtare. Mediat koreane raportuan se gjatë qëndrimit të tij ai takoi homologun korean Kim Min-seok, një takim i cili, sipas zyrës së kryeministrit korean, u fokusua në mënyrat për të forcuar marrëdhëniet midis dy vendeve.
Sipas raportimit të zyrës së Kim, dy kryeministrat diskutuan për zgjerimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit dypalësh. Kryeministri korean theksoi se pret me interes të rritë bashkëpunimin me Shqipërinë, duke vënë në dukje se Tirana ka emëruar një figurë të njohur si “ministri i parë i inteligjencës artificiale (IA)” në botë, Diella. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë që Korea i jep teknologjive të avancuara dhe inteligjencës artificiale, duke e konsideruar këtë një fushë prioriteti për zhvillimin dhe bashkëpunimin teknologjik.
Nga ana e tij, Edi Rama përshkroi Korenë e Jugut si një burim frymëzimi për Shqipërinë në aspektin e zhvillimit kombëtar. Ai nënvizoi se të dy vendet kanë përjetuar procese të ngjashme të kalimit të vështirësive dhe kanë arritur të zhvillojnë ekonomitë dhe sistemet demokratike, megjithëse ndodhen larg gjeografikisht. Rama shprehu interes të qartë për thellimin e marrëdhënieve në fusha konkrete, duke përmendur tregtinë, investimet dhe teknologjitë e inteligjencës artificiale si prioritete për bashkëpunim të ardhshëm.
Vizita e kryeministrit Rama në Seul përfshin pjesëmarrjen në një konferencë ndërkombëtare, ndërsa takimi me Kim Min-seok shërben si një nga elementët kyç në axhendën diplomatike të qëndrimit të tij. Diskutimet midis dy kryeministrave tregojnë vullnetin për të përmirësuar lidhjet diplomatike dhe ekonomike, me theks të veçantë te bashkëpunimi në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

