Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka nisur inspektime në të gjithë vendin, duke i kushtuar vëmendje veçanërisht subjekteve ushqimore që ndodhen pranë institucioneve arsimore. Kontrolli përfshin një gamë të gjerë bizneseve të ushqimit, nga fast-food-et, byrektoret dhe piceritë, te marketet dhe pika të tjera tregtimi, si dhe subjektet ku përgatitet ushqim për grupe të veçanta, përfshirë kopshte, shkolla dhe çerdhe.
Inspektimet zhvillohen në zbatim të paketës së quajtur “Sigurisë në shkolla” dhe në përputhje me legjislacionin për sigurinë ushqimore dhe inspektimin. Gjatë kontrolleve, punonjësit e AKU-së verifikojnë përmbushjen e kërkesave ligjore dhe standardeve të sigurisë ushqimore. Vëmendje e veçantë i kushtohet kushteve të higjienës brenda dhe jashtë subjekteve, respektimit të afateve të përdorimit të produkteve, si dhe gjurmueshmërisë së ushqimeve që shiten dhe përgatiten pranë institucioneve arsimore.
Përveç kushteve higjieno-sanitare, kontrollet përfshijnë verifikimin e etiketimit të produkteve ushqimore, për t’u siguruar që informacionet për konsumatorët të jenë në përputhje me rregullat. AKU po kryen gjithashtu marrje mostrash nga subjektet e inspektuara; këto mostra do të dërgohen për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, me qëllim vlerësimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve.
Autoriteti shprehet se qëllimi i këtij plani masash është krijimi i një mjedisi sa më të sigurt për fëmijët dhe nxënësit, duke parandaluar rreziqet që mund të lidhen me ushqimet e tregtuara dhe të konsumuar pranë institucioneve arsimore. Kontrollet synojnë të sigurojnë respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore nga subjektet që operojnë në afërsi të shkollave dhe vendeve ku qëndrojnë fëmijët, si dhe të ofrojnë mbrojtje shtesë për grupet më të rrezikuara.

