Autoritetet shëndetësore franceze raportojnë zbulimin e parë te një njeri të virusit Shamonda, zakonisht i njohur si patogjen i bagëtisë dhe i transmetuar përmes pickimit të mushkonjave të vogla të gjinisë Culicoides. Rasti u regjistrua në Francën lindore dhe pacienti, i cili vuante nga një imunitet i rëndë i kompromentuar, ndërroi jetë në fillim të tetorit në një spital në Lion. Para vdekjes ai kishte shfaqur komplikime cerebrale që autoritetet thonë se mund të kenë lidhje me infeksionin.
Ministritë franceze të Shëndetësisë dhe Bujqësisë e cilësuan incidentin si të jashtëzakonshëm, duke vënë në dukje se megjithë qarkullimin e virusit në Afrikë dhe Azi prej disa dekadash, deri tani nuk ishin raportuar infeksione te njerëzit. Zona ku u regjistrua rasti është një territore ku virusi qarkullon te kafshët gjatë pranverës dhe verës. Autoritetet theksojnë se, bazuar në njohuritë aktuale për virusin, nuk është identifikuar ndonjë rrezik për shëndetin e popullatës së përgjithshme.
Janë nisur hetime klinike, biologjike dhe epidemiologjike për të kuptuar më mirë rastin dhe lidhjen e mundshme mes virusit dhe komplikimeve të pacientit. Për këtë qëllim po aplikohen parimet e qasjes “Një Shëndet”, që merr në konsideratë lidhjen mes shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit. Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve janë informuar për rastin.
Virusi Shamonda u identifikua për herë të parë në Nigeri në mesin e viteve 1960 dhe është raportuar në mënyrë sporadike te bagëtitë në Afrikën Perëndimore, Lindore dhe Jugore, si dhe në Japoni. Gjatë kësaj vere ai u zbulua edhe në Evropë, përfshirë Francën, në tufat e bagëtive, dhe janë konstatuar raste sporadike te ripërtypësit e vegjël dhe kuajt. Autoritetet vlerësojnë bagëtinë si strehuesin kryesor të virusit mes specieve që mund të infektohen.
Pavarësisht zbulimit të parë te njeriu, autoritetet franceze nënvizojnë se aktualisht nuk ka prova për një rrezik të përgjithshëm për popullatën, ndërsa hetimet për rastin e regjistruar vijojnë.

