Gjykata e Milanos rrëzoi kërkesën e Wanda Narës për pagesë të përkohshme financiare gjatë procesit të divorcit me Mauro Icardin. Vendimi, i firmosur nga gjyqtarja Anna Cattaneo, vlerëson se situata ekonomike dhe të ardhurat e Wanda Narës janë “shumë të shëndetshme” dhe se ajo është “e re, me aftësi profesionale dhe plotësisht e aftë për të gjeneruar të ardhura në mënyrë të pavarur”. Ky vendim konsiderohet si një fitore e parë ligjore për sulmuesin e Galatasarayt, ndërsa të dy pritën për vendimin përfundimtar të divorcit.
Marrëdhënia mes Icardit dhe Narës mbetet e tensionuar, me akuza të ndërsjella, përplasje publike dhe beteja ligjore që kanë zgjatur pas ndarjes së tyre. Mauro Icardi reagoi në rrjetet sociale pas vendimit, duke përshkruar zhvillimin si një lajm të mirë dhe duke pretenduar se ndaj tij kishte kërkesa tepër të larta financiare gjatë procesit. Në një postim në Instagram ai shkroi se i ishte kërkuar të paguante “250 mijë euro në muaj për ish-bashkëshorten time, 65 mijë euro për secilën nga vajzat e mia dhe 100 mijë euro në muaj për divorcin”, dhe përmblodhi reagimin me fjalët: “U hodh poshtë kjo çmenduri”. Icardi deklaroi gjithashtu se kundërshtimet ndaj vendimit nuk ndryshuan rezultatin dhe se sipas tij drejtësia italiane kishte dhënë një përgjigje të qartë. Ai shtoi se “Hapi i fundit drejt dekretit përfundimtar të divorcit mungon” dhe falënderoi Zotin që sistemi italian i drejtësisë funksionon.
Historia e çiftit ka qenë ndër më të ndjekurat në botën e futbollit dhe showbiz-it, e shoqëruar me luks, udhëtime, jetë publike në rrjetet sociale dhe kriza të përsëritura. Pas më shumë se një dekade së bashku, ndarja u shndërrua në një betejë të gjatë emocionale, ligjore dhe financiare, me akuza që shpesh u bënë publike. Ndërkohë, Mauro Icardi ka nisur një lidhje të re me China Suárez, ndërsa Wanda Nara vazhdon përpjekjet ligjore për mbylljen përfundimtare të martesës.

