Operacioni për izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit, Bashkia Pukë, vazhdon edhe sot. Në Gjegjan situata paraqitet më e qetë dhe aktualisht nuk raportohet përparim i vatrës; ajo monitorohet nga forcat vendore. Në Gojan të Madh gjatë natës janë evidentuar riaktivizime të vatrave, por ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka normalizuar situatën. Në lagjen Pepaj zjarri nuk ka avancuar drejt banesave përtej zonës së izoluar gjatë ndërhyrjes intensive të ditës së djeshme dhe zona vijon të mbahet nën monitorim nga forcat vendore.
Vatra më problematike paraqitet në Gojan të Vogël, ku zjarri vijon të jetë aktiv dhe po përhapet në zbritje drejt zonës së banuar, por deri në këto momente nuk është në afërsi kritike. Në këtë vatër është përqendruar ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë, e koordinuar me operacionet nga toka të efektivëve të Forcave të Armatosura dhe forcave operacionale vendore. Për Prozhëm raportohet avancim i vatrës së zjarrit; që prej ditës së djeshme janë dislokuar dy mjete zjarrfikëse për mbrojtjen e qytetarëve dhe banesave dhe për ndërhyrje të menjëhershme në rast afrimi të flakëve. Ndërhyrja në Prozhëm koordinohet sipas dinamike nga ajri dhe nga toka.
Në zonën Gojan–Gjegjan–Tërbun janë angazhuar aktualisht në total 9 mjete zjarrfikëse dhe 45 efektivë të MZSH nga Puka, Fushë-Arrëzi, Kamza, Kukësi, Hasi dhe Shkodra. Në operacion marrin pjesë gjithashtu 13 punonjës të Shërbimit Pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura nga RKV. Prefektura e Qarkut Shkodër, në koordinim me Bashkinë Pukë, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile, vijon koordinimin dhe monitorimin e operacionit. Ndërhyrjet janë intensifikuar në zonat me rrezikshmëri më të lartë, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe banesave, si dhe izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit.

