Forcat amerikane goditën një motoskaf të dyshuar për trafik droge në Oqeanin Paqësor lindor, duke vrarë pesë persona që ndodheshin në bord, njoftoi Komanda e SHBA-së për Amerikën Latine dhe Karaibet (SOUTHCOM). Sipas deklaratës së komandës, inteligjenca kishte konfirmuar se mjeti lundrues ishte i përfshirë në mënyrë aktive në trafikun e drogës. Autoritetet amerikane i cilësuan pesë personat e vrarë si “narko-terroristë”.
SOUTHCOM publikoi po ashtu një video që, sipas saj, tregon momentin e sulmit, dhe përmes një postimi në rrjetin social X njoftoi se më 27 tetor, nën drejtimin e SOUTHCOM, Forca e Përbashkët e Gjysmës së Perëndimit ekzekutoi një sulm vdekjeprurës, “kinetik”, ndaj një go-fast vessel që operonte përgjatë rrugëve të njohura të trafikut narkotik në Paqësorin Lindor. Në njoftim thuhet se inteligjenca konfirmoi përfshirjen aktive të anijes në trafikun e drogës dhe se operacioni vrau pesë “narco-terrorists”.
Operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë të Shteteve të Bashkuara kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në rajonin e Karaibeve dhe në Oqeanin Paqësor. Sipas të dhënave publike të komandës, që nga shtatori i vitit 2025, SHBA-të kanë ndërmarrë dhjetëra sulme ndaj mjeteve lundruese të dyshuara për transport të lëndëve narkotike. Këto operacione, sipas të dhënave të bëra publike, kanë shkaktuar më shumë se 230 viktima.
Fushata amerikane ka nxitur kritika nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe nga zyrtarë të Kombeve të Bashkuara. Ata kanë shprehur shqetësime lidhur me ligjshmërinë e operacioneve dhe kanë cilësuar vrasjet si të mundshme jashtëgjyqësore. Kritikat përfshijnë edhe vërejtjen se Uashingtoni nuk ka paraqitur prova publike që të vërtetojnë se të gjitha anijet e goditura ishin të përfshira në aktivitete të paligjshme. Top Channel.

