Një raketë New Glenn e kompanisë Blue Origin shpërtheu gjatë një testi tokësor “hotfire” në mbrëmjen e së enjtes në Stacionin Hapësinor të Forcave Ajrore në Cape Canaveral, Florida. Pamjet në rrjetet sociale treguan momentin kur raketa shpërtheu në platformën e nisjes, duke nxitur shqetësime për programin hapësinor të kompanisë. Pas incidentit, Jeff Bezos konfirmoi në X se i gjithë personeli është i sigurt dhe nuk ka të lënduar. Ai njoftoi nisjen e hetimeve dhe shkroi se “Është ende herët për të përcaktuar shkakun e saktë, por tashmë kemi nisur hetimet. Ishte një ditë shumë e vështirë, por do të rindërtojmë gjithçka që duhet rindërtuar dhe do të rikthehemi në fluturime. Ia vlen”.
Shpërthimi ndodhi pak ditë pas njoftimit të kompanisë për rikthimin në fluturim të New Glenn, pas problemeve gjatë misionit të tretë më 19 prill, ku faza e parë u rikuperua në një platformë detare, por faza e dytë nuk arriti të vendoste në orbitë satelitin BlueBird 7 të AST SpaceMobile. Misioni i katërt i New Glenn ishte planifikuar të transportonte 48 satelitë për konstelacionin e internetit satelitor Amazon Leo, një projekt strategjik të kompanisë.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) deklaroi se është në dijeni të incidentit dhe se testi nuk ishte pjesë e aktiviteteve të licencuara të fluturimit, duke shtuar se nuk pati ndikim në trafikun ajror. NASA reagoi duke theksuar vështirësitë e zhvillimit të raketave të rënda; kreu i agjencisë, Jared Isaacman, u shpreh se “Fluturimet hapësinore nuk falin gabime dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja të lëshimit është tepër kompleks. Do të punojmë me partnerët tanë për një hetim të plotë dhe për të vlerësuar ndikimin në misionet e ardhshme”.
Forcat Hapësinore Amerikane po bashkëpunojnë me Blue Origin për të përcaktuar shkaqet e anomalive, duke theksuar se testimet e teknologjive të reja hapësinore përfshijnë gjithmonë rreziqe të konsiderueshme. Programi New Glenn ka pasur suksese dhe dështime që nga fluturimi i parë orbital në janar 2025; debuti u konsiderua sukses edhe pse faza e parë nuk u rikuperua, ndërsa misioni i dytë në nëntor 2025 u zhvillua pa probleme dhe transportoi misionin Escapade të NASA-s drejt Marsit. Problemet e misionit të tretë dhe shpërthimi i fundit kanë ngjallur pyetje mbi ritmin e zhvillimit të Blue Origin në konkurrencën me SpaceX. Kompania po punon gjithashtu në një modul hënor për programin Artemis të NASA-s dhe kishte pezulluar më parë fluturimet turistike të New Shepard për t’u përqendruar në projektet hënore dhe teknologjitë e reja të transportit hapësinor.

