Momente paniku u regjistruan në një park argëtimi në shtetin e New Mexico, pasi kablloja e një loje të tipit “bungee” u këput ndërsa dy adoleshentë ndodheshin në ajër, duke bërë që kapsula ku ata ishin të përplasej me një shtyllë metalike. Ngjarja ndodhi në atraksionin “Southwest Slinger” të parkut argëtues Western Playland.
Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Parkut Sunland, dy të rinjtë, një djalë dhe një vajzë, u ekzaminuan nga ekipet e emergjencës menjëherë pas incidentit. Ata pësuan lëndime të lehta, por refuzuan të transportoheshin në spital. Pas këputjes së kabllos, loja ndaloi së funksionuari dhe kapsula mbeti e varur në ajër.
Zjarrfikësit ndërhynë dhe zbritën me kujdes dy pasagjerët; atyre u dha ndihma e parë në vendngjarje. Drejtuesit e Western Playland konfirmuan incidentin dhe njoftuan se atraksioni “Southwest Slinger” është nxjerrë menjëherë jashtë funksionit si masë paraprake. “Loja do të mbetet e mbyllur derisa të përfundojë një hetim i plotë në bashkëpunim me të gjithë partnerët përkatës. Siguria e vizitorëve dhe punonjësve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor”, thuhet në deklaratën e parkut.
Western Playland është një park argëtimi me sipërfaqe rreth 25 hektarë, i njohur për atraksionet familjare dhe lojërat ekstreme. Ai funksionon prej më shumë se 50 vitesh dhe konsiderohet një nga pikat më të njohura argëtuese në rajonin jugperëndimor të Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe për të verifikuar nëse janë respektuar standardet e sigurisë në park.

