Foka elefant e quajtur Neil, e njohur për sjelljen e saj që bllokoi rrugë, shkatërroi tabela dhe tërhoqi qindra vizitorë në jug të Tasmanisë, u kthye në det pas disa javësh qëndrimi në breg. Neil është një fokë pesëvjeçare rreth një ton e peshës, që zakonisht del në breg dy herë në vit për të pushuar dhe për të ndërruar qimet. Gjatë këtij sezoni, pamjet e saj duke rrëzuar tabela, shtylla dhe duke bërë banjë dielli në rrugë u bënë virale dhe grumbulluan miliona shikime në rrjetet sociale.
Departamenti i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit i Tasmanisë njoftoi se Neil u kthye në det në mënyrë të sigurt, duke shtuar se kjo është sjellje normale dhe pritej, por nuk përjashtohet mundësia që të rikthehet sërish në breg në ditët në vijim. Autoritetet vendosën masa sigurie për shkak të interesit të madh publik: vizitorëve iu kërkua të mbajnë distancë të paktën 20 metrash nga fokja, ndërsa qentë të qëndronin 50 metra larg; u paralajmërua se eutanazia do të ishte zgjidhja e fundit në rast se siguria publike nuk do të mund të garantohej.
Sipas autoriteteve, pati raste kur njerëzit iu afruan Neil-it me fëmijë të vegjël për të bërë fotografi ose i lanë ushqim, sjellje të cilat u cilësuan të rrezikshme. Për menaxhimin e situatës, këshilli lokal angazhoi roje sigurie 24 orë në ditë dhe ndryshoi përkohësisht qarkullimin në zonë, ndërsa po përllogarit edhe dëmet e shkaktuara nga foka.
Ekspertët e jetës së egër shpjegojnë se përplasjet e Neil me tabela, shtylla dhe objekte të tjera janë pjesë e sjelljes normale të fokave elefant të moshës së tij, që zakonisht luajnë dhe sfidojnë njëra-tjetrën. Neil lindi në jug të Tasmanisë dhe konsiderohet një nga këlyshët e parë të fokës elefant të lindur në këtë rajon, pas shkatërrimit të popullatës në fillim të shekullit të 19-të për shkak të gjuetisë. Aktualisht foka elefant klasifikohet si një specie e prekshme në Australi. Kryeministri i Tasmanisë, Jeremy Rockliffe, deklaroi se monitorimi do të vazhdojë dhe falënderoi ata që e trajtuan Neil me respekt dhe kujdes gjatë qëndrimit të saj në tokë.

