Procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit është drejt fundit, çka i hap rrugë angazhimit të partive për të formuar institucionet. Sipas rezultatit aktual, Lëvizja Vetëvendosje prin si e para me 52 ulëse të siguruara në Kuvend. Bashkëpunimi me minoritetet jo-serbe dhe me Nenad Rashiqin i siguron Vetëvendosjes formimin e qeverisë, por jo edhe zgjedhjen e presidentit, për të cilën kërkohet kuorum prej 80 deputetësh.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, deklaroi se për të nisur angazhimet për konstituimin e institucioneve duhet të pritet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Ai u shpreh: “Ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11, sa më shpejtë aq më mirë”. Kurti, që tashmë ka siguruar edhe një mandat tjetër në krye të ekzekutivit, tha se për zgjedhjen e presidentit është i nevojshëm bashkëpunimi me opozitën, por sipas tij duhet të përfundojë “sjellja refuzuese e opozitës”.
Ai tha se Vetëvendosje ka ofruar të votojë kandidaten ose kandidatët e propozuar nga opozita, duke kërkuar që t’u paraqiten tre propozime, dhe se ata i kanë refuzuar ofertat, përfshirë edhe lideren e shoqërisë civile që u propozua. “Vazhduam më tej, duke ofruar që të votojmë presidentin e ofruar nga opozita le të na i sjellin tre propozime, e ua bëjmë edhe nënshkrimet edhe votat, prap refuzuan, dhe në fund edhe lideren e shoqërisë civile e refuzuan. Pra, për të ecur përpara ka nevojë që të përfundojë sjellja refuzuese e opozitës”, tha Kurti.
Nga rezultati i përgjithshëm i deritanishëm, pas Vetëvendosjes vjen Partia Demokratike e Kosovës me 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës me 19 dhe Aleanca me 7 mandate.

