Vera e këtij viti konsiderohet si më e nxehta e dekadave të fundit në vend, megjithatë ekspertë të ndryshimeve klimatike vlerësojnë se kjo verë pritet të jetë më e freskët në krahasim me ato që do të vijnë. Efektet e ndryshimeve klimatike janë tashmë të dukshme në Shqipëri: thatësira dhe zjarre që kanë përfshirë territorin e vendit, ndërsa në nivel më të gjerë në Evropë janë regjistruar zjarre të ngjashme; përveç kësaj, vërehen përmbytje gjatë stinëve të vjeshtës dhe dimrit.
Për të përballuar dhe për të paralajmëruar më mirë për këto fenomene natyrore, në Shqipëri do të vendosen 100 pika monitorimi për sistem paralajmërimi të hershëm. Ky sistem synon të ofrojë sinjale që nuk janë thjesht statistika, por informacione paralajmëruese me qëllim marrjen e masave, siç theksoi Enejda Rabdishta. Përmes këtyre pikave monitoruese, autoritetet pritet të kenë kapacitete më të mira për të identifikuar rreziqet dhe për të orientuar ndërhyrjet e nevojshme në kohë.
Ministria e Mjedisit miratoi në qershor një Plan Kombëtar për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, i cili përcakton masa të drejtpërdrejta për sektorët më të prekur. Sektoret e identifikuara në plan përfshijnë bujqësinë, transportin, energjetikën dhe turizmin. Si pjesë të masave të propozuara në plan përmenden ndërhyrje konkrete si pyjëzime të reja, ngritja e infrastrukturave që parandalojnë përmbytjet, si dhe orientimi i fermerëve për zgjedhjen e kulturave që duhet të mbjellin, tha ajo.
Ky Plan Kombëtar është dërguar si udhëzues për të gjitha bashkitë, në mënyrë që ato të marrin masa të përshtatura sipas karakteristikave dhe rrethanave të territoreve që administrojnë. Qëllimi i shpërndarjes së udhëzuesit është që nivelit vendor t’i jepen instrumente dhe rekomandime për të planifikuar dhe zbatuar ndërhyrje që reduktojnë rreziqet dhe përmirësojnë përgjigjen ndaj fenomeneve të lidhura me ndryshimet klimatike. Top Channel.

