Ndërkombëtar i Filmit në Venecia hap këtë të mërkurë edicionin e ri, ku George Clooney, 65-vjeçar, do të nderohet në mbrëmjen e parë me çmimin për arritjet gjatë gjithë karrierës. Clooney, një prej figurave më të shpeshta në tapetin e kuq të Venecias, pritet të tërheqë vëmendjen në një edicion ku shumica e studiove të mëdha të Hollivudit kanë zgjedhur të qëndrojnë larg. Festivali zgjat deri më 12 shtator dhe hapet me filmin “Ink” të regjisorit Danny Boyle, i kushtuar ngritjes së Rupert Murdoch në industrinë mediatike britanike.
Programi përfshin edhe produksione që trajtojnë figura si Elon Musk dhe rikthimin e grupit Oasis, me vëllezërit Liam dhe Noel Gallagher të pranishëm në tapetin e kuq. Në program janë trileri psikologjik “Bunker” me Penelope Cruz dhe Javier Bardem, si dhe “Wild Horse Nine” ku John Malkovich dhe Sam Rockwell interpretojnë dy agjentë të pazakontë të CIA-s. Në garën për “Luanin e Artë” është edhe dokumentari “Naza”, që trajton vrasjen e civilëve në Gaza nga forcat izraelite.
Drejtori artistik Alberto Barbera tha se festivali duhet të flasë për konfliktet në Gaza dhe Lindjen e Mesme përmes kinemasë. Një tjetër temë qendrore e këtij edicioni është inteligjenca artificiale: për herë të parë në Venecia do të shfaqet një dokumentar realizuar tërësisht me këtë teknologji. Mes titujve të përmendur është “Be Brave” i regjisorit italian Francesco Carrozzini, që rrëfen historinë e themeluesit të markës “Diesel”, Renzo Rosso.
Barbera pranoi se përdorimi i inteligjencës artificiale sjell rreziqe për vendet e punës, të drejtat e autorit dhe imazhin e artistëve, por nënvizoi gjithashtu se ajo u mundëson regjisorëve të realizojnë gjëra që më parë konsideroheshin të pamundura. Festivali planifikon gjithashtu një simpozium ndërkombëtar mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në industrinë e filmit, ku mes pjesëmarrësve do të jetë edhe George Clooney.

