Urdhri i Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj për shfuqizimin e kompetencave që i kishte deleguar nënkryetares Anuela Ristani më 14 shkurt 2025 është vendosur në tabelat e njoftimeve publike të Bashkisë së Tiranës. Si pasojë e moskoordinimit me kryetarin, të legjitimuar nga Gjykata Kushtetuese, që nga e premtja e 28 gushtit Anuela Ristani figuron vetëm si nënkryetare.
Që nga e hëna administrata e Bashkisë së Tiranës duket e çorientuar, pasi nuk mund të nxjerrë vendime që kërkojnë firmën e titullarit. Juridiksi e ka të drejtën e nënshkrimit vetëm Erion Veliaj, i cili sipas njoftimeve është kryetar i Bashkisë së Tiranës, por e ushtron atë në distancë. Si të parët që mund të penalizohen përmenden personat që trajtohen me ndihmë ekonomike, sepse për vendimet e tilla duhet mbledhur Këshilli Bashkiak, të thirret nga kryetari, dhe ekzekutimi i pagesave kërkon firmën e kryetarit.
Gjithashtu, marrja e masave për nisjen e vitit të ri shkollor dhe futja e projektit “after-school” kërkon mbështetje financiare që hyn në fuqi me firmën e kryetarit. Pa këtë firmë, edhe shërbimet që ofrohen nga kompani të kontraktuara, si pastrimi, nuk mund të vijojnë, dhe punonjësit e bashkisë nuk mund të marrin pagën e muajit gusht që sapo u mbyll. Po ashtu janë në pikëpyetje veprime të tjera me afate, si taksa në fushën e ndërtimit, subvencionimi i karburantit për transportin në Qarkun e Tiranës, çështje të administrimit të pronës, emërime dhe shkarkime, pasi këto janë kompetencë e kryetarit të bashkisë.
Për të zgjidhur ngërçin, avokati i kryetarit është parë paraditen e kësaj të hëne në ambientet e Bashkisë së Tiranës, ku u takua me nënkryetaren Anuela Ristani për të përcaktuar vendimet më emergjente. Avokati Ndreca deklaroi për Top Channel se po shqyrtohet mundësia se si do të firmosen dokumentet dhe vendimet që kërkojnë firmën e Erion Veliaj, i cili prej më shumë se një viti e gjysmë ndodhet në paraburgim në Durrës.

