Kreu i qeverisë, Edi Rama, deklaroi se zv.kryeministrja Belinda Balluku ka një çështje me drejtësinë, por shtoi se ai nuk ka komentuar mbi përmbajtjen e saj, vetëm mbi standardin dhe parimin. Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në podcastin “Flasim”, Rama tha se në këtë rast “nuk e mbron askush” dhe kritikoi mënyrën si u veprua ndaj ministres.
Rama vuri në dukje se ndaj Ballukut u përdor një masë që e konsideroi “absurde”, pezullimin e një ministri nga detyra, dhe përshkroi një situatë ku prokurori së bashku me një gjykatës kanë vendosur “të bënin kryeministrin, parlamentin dhe presidentin”. Ai tha se me këtë akt u sfiduan Kushtetuta e Shqipërisë dhe një pushtet i pavarur, dhe se ishte shkelur “vija e kuqe”. Rama shtoi se ishte cinik në raport me të nesërmen për shkak të asaj që ndodhi.
Duke folur për veprimin e SPAK, kryeministri deklaroi se ai hyri “në territorin tim si kryeministër dhe në territorin tonë si shumicë parlamentare dhe në territorin e presidentit”. Rama theksoi se për rastin e Ballukut ai nuk ka dhënë shpjegime mbi fajësinë apo pafajësinë, por ka folur vetëm mbi parimin dhe standardin: “Balluku ka një çështje me drejtësinë, në atë çështje unë nuk kam thënë asgjë … Kam folur vetëm për çështje të parimit dhe standardit”. Ai shtoi se as ai e as të tjerë nuk e mbrojnë Ballukun për sa i përket procesit të drejtësisë dhe se ajo vetë do të mbrojë interesin e saj.
Rama po ashtu komentoi rastin e Erion Veliajt, duke e quajtur të papranueshëm që kryetari i zgjedhur të mbetet i mbyllur në paraburgim. “Kryetari i zgjedhur të rrijë i mbyllur në paraburgim, absurd i kryeqytetit. E pamundur të komunikosh”, tha ai.

