Takimi i ekipit të avokatëve të Erion Veliajt në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës zgjati rreth pesë orë. Në vizitë morën pjesë dy avokatë të një studioje ligjore britanike dhe av. Plarent Ndreca; qëllimi i takimit ishte përgatitja e padisë që mbrojtja synon të depozitojë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg gjatë vjeshtës. Dosja do të hartohet gjithashtu në bashkëpunim me një studio ligjore amerikane, e angazhuar më herët në rastin e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, por avokatët amerikanë sipas Ndrecës ende nuk janë lejuar nga SPAK të takojnë Veliajn.
Sipas mbrojtjes, po dokumentohen të gjitha shkeljet që pretendohen për t’u paraqitur në Strasburg. Ekipi i avokatëve do të kthehet në Durrës edhe nesër për të vijuar intervistimin e Veliajt. Për mediat foli avokati britanik Benjamin Brandon dhe av. Plarent Ndreca, të cilët përshkruan vizitën si të rëndësishme për përgatitjen e aplikimit drejt gjykatës ndërkombëtare.
Brandon deklaroi se kanë përfaqësuar Veliajn që prej paraburgimit të tij, por kjo ishte hera e parë që u lejuan ta vizitojnë, pavarësisht kërkesave të përsëritura. Ai theksoi se Veliaj ndodhet në paraburgim prej më shumë se 18 muajsh dhe se takimi i zhvilluar ishte produktiv, me diskutime të përqendruara mbi aplikimin që synohet të paraqitet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut për të ankuar lidhur me ndalimin dhe vazhdimin e mbajtjes së tij në paraburgim. Brandon shprehu pritshmërinë që vendimet e gjykatave shqiptare të përshpejtohen në mënyrë që Veliaj të lirohet dhe të vazhdojë jetën e përditshme, familjare dhe detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës, post për të cilin është zgjedhur përmes procesit demokratik.
Ndreca njoftoi se kolegët nga Anglia vizituan për herë të parë pas rreth tetë muajsh dhe se diskutimi i ditës fokusohej në aplikimin që do të bëhet për çështjen e masës së sigurisë në Strasburg. Ai përmendi fitoren e arritur në Gjykatën Kushtetuese, por sqaroi se nuk janë pranuar të gjitha pikat, prandaj do të kërkohet zgjidhje në Strasburg. Ndreca gjithashtu tha se do të apelojnë vendimin e Shkallës së Parë për emërimin e z. Dado. Top Channel.

